Shqipëria dhe Italia: një partneritet i suksesshëm në fushën e modës
Duke i mbijetuar pengesave që ishin parashikuar për të, industria shqiptare e tekstilit është forcuar gjithmonë e më shumë dhe ka krijuar një marrëdhënie të veçantë e të qëndrueshme me një partner si Italia, me reputacion të madh në industrinë e modës.
04/03/2022
Prodhuesit që ndërtuan një reputacion për prodhimin e tekstilit gjatë epokës komuniste të vendit, kanë kaluar nga prodhimi i pëlhurave si pjesë përbërëse e materialeve tekstile në prodhimin e produkteve plotësisht të gatshme – si veshje dhe këpucë - për marka të rëndësishme botërore, të nivelit të lartë reputacional, dhe tani gëzojnë një lidhje veçanërisht të fortë me shtëpitë e mëdha italiane të modës.
Në vitin 2021 industria arriti rekordin e saj më të lartë të eksportit. Pjesa më e madhe e veshjeve dhe këpucëve të prodhuara u eksportuan në Itali – saktësisht 64% e tyre. Në industrinë e modës, Italia prej vitesh ka qenë partneri më i fortë eksportues i Shqipërisë.
Përmbysja e tendencave të parashikuara
Rritja e eksporteve gjatë vitit 2021 ishte më se e mirëpritur. Masat kundër pandemisë së shkatuar nga Covid-19 në Shqipëri ishin plotësisht në fuqi për një periudhë më të shkurtër kohore – por për shkak të rregullave të distancimit social, prodhuesit duhej të investonin në hapësira më të mëdha pune, një masë që pati një ndikim financiar. Por kishte edhe pasoja pozitive. Prodhuesit përdorën periudhat e shkurtra të “lock-down” për t'u trajnuar dhe investuar në staf të ri, të gatshëm për të marrë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm ndërsa pandemia u qetësua. Ecuria në drejtim të kundërt me pritshmëritë nuk është një gjë e re për industrinë e tekstilit shqiptar. Para pandemisë, sektori sfidoi parashikimet pesimiste të një cikli të shkurtër zhvillimi të shkaktuar nga një rritje graduale e standardeve të jetesës dhe kostove të punës, si dhe nga konkurrenca nga tregjet në të cilat fuqia punëtore ishte më e lirë.
Ermenita Harasani, Drejtore e Departamentit të Korporatave Shumëkombëshe në Intesa Sanpaolo Bank Albania, thotë se ky skenar nuk u realizua kurrë. "Rrobaqepësia në sektorët e tekstilit dhe këpucëve ka mbijetuar, madje është rritur, pavarësisht problemeve të mëdha që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore," thotë ajo.
Italia, partnerja e modës së Shqipërisë
Kompanitë italiane ishin të parat që iu afruan industrisë shqiptare të modës dhe tekstilit si furnizues të mundshëm kur tregu u hap në fund të epokës komuniste në fillim të viteve 1990. Shumë shqiptarë u shpërngulën në Itali në atë kohë dhe kompanitë italiane filluan ta shihnin Shqipërinë si një treg të ri në të cilin mund të eksploronin mundësi të reja dhe të zgjeroheshin.
Që atëherë, kompanitë italiane kanë ruajtur prezencën më të fortë në tregun shqiptar. Një mjedis i lehtë rregullator dhe puna e përballueshme – së bashku me prodhimet me cilësi të lartë – kanë kontribuar në forcimin e kësaj marrëdhënieje.
Duke qenë se Italia dhe Shqipëria janë vende fqinje, shumica e shqiptarëve flasin italisht, duke e bërë edhe më të lehtë për kompanitë italiane hyrjen në treg dhe të bërit biznes. Gjatë gjithë kësaj kohe, Intesa Sanpaolo ka mbështetur industrinë shqiptare të tekstilit (dhe shumë industri të tjera) me produktet financiare të nevojshme për të siguruar që marrëdhëniet reciproke të dobishme të lulëzojnë.
"Ofrimi i shërbimeve dhe produkteve bankare që njihen dhe përdoren gjerësisht nga kompanitë italiane ka një ndikim të madh në marrëdhënien që markat italiane të modës kanë me prodhuesit shqiptarë."
Ermenita Harasani, Drejtore e Departamentit të Korporatave Shumëkombëshe, Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Prodhim i ndërgjegjshëm shoqëror
Harasani parashikon një të ardhme premtuese rritjeje për prodhimin e industrisë së modës shqiptare – dhe parashikon që kompanitë po lëvizin në përputhje me fokusin e ndërgjegjshëm shoqëror të Intesa Sanpaolo-s, dhe në të vërtetë të pjesës tjetër të botës.
Kjo do të nënkuptojë kushte më të mira pune dhe paga në fabrika, dhe do të thotë që prodhuesit të kërkojnë të reduktojnë ndikimin e tyre negativ në mjedis – për shembull, duke investuar në energjinë diellore për tëgjeneruar energji në fabrikat e tyre.
Këto synime – të kushteve më të mira për punëtorët dhe mjedisin – mund të ndërveprojnë së bashku. Modernizimi dhe teknologjitë e reja po i ndihmojnë kompanitë të arrijnë qëllime të reja të qëndrueshmërisë duke qenë njëkohësisht edhe fitimprurës.
Dhe mënyra se si vendi ka ruajtur marrëdhëniet e tij me markat italiane të modës – të cilat janë ndër më të respektuarat në botë – ka nënkuptuar se tani po fiton interes nga tregje të tjera.
“E ardhmja përpara është premtuese, pasi kompanitë tona kanë përmirësuar njohuritë dhe cilësinë e produkteve të ofruara”, thotë Harasani.
“Gjithnjë e më shumë kompani nga vende të tjera, të cilat nuk kanë qenë partnerët tanë të eksportit në vitet e mëparshme, po tregojnë vazhdimisht interes dhe po i afrohen tregut tonë”.