FATCA & CRS
30/08/2021
Çfarë është FATCA?
FATCA është bashkimi i shkronjave të para në anglisht i ‘Foreign Account Tax Compliance Act’ që i referohet ‘Ligjit Për Respektimin e Tatimit Në Llogaritë e Jashtme’.
Në mars të vitit 2010, Kongresi Amerikan miratoi këtë akt normativ për të luftuar evazionin fiskal të taksapaguesve Amerikanë të cilët zotërojnë llogari dhe asete të tjera financiare jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për realizimin e këtij qëllimi, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosi të përfshijë edhe institucionet financiare të huaja, të cilët potencialisht mund të jenë insitucione depozitë mbajtëse të taksapaguesve Amerikanë. Ky akt normativ bazohet në parimin e taksimit në të gjithë botën të çdo shtetasi Amerikan apo të një tatimpaguesi rezident në Amerikë, parim sipas të cilit tatimpaguesi duhet të deklarojë në mënyrë Autonome dhe Vullnetare të ardhurat në të gjithë botën dhe specifikisht të ardhurat jashtë territorit Amerikan.
Pra çdo klient i bankës duhet të vetdeklarojë rezidencë e tij tatimore, qoftë kjo në Amerikë, Shqipëri apo çdo vend tjetër të botës. Nëse klienti është tatimpagues Amerikan atëherë ka detyrimin për plotësimin e formave shtesë sipas aktit normativ përkatës.
Çfarë është Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS)?
CRS (common reporting Standard) është bashkimi i shkronjave të para të "Standardi i Përbashkët i Raportimit"
Standardi i Përbashkët i Raportimit, i hartuar në përgjigje të kërkesës së G20 dhe i aprovuar nga Këshilli i OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) në 15 korrik 2014, u bën thirrje juridiksioneve të marrin informacion nga institucionet e tyre financiare dhe të shkëmbejnë automatikisht ato informacione me juridiksione të tjera në bazë vjetore.
Standardi i Përbashkët i Raportimit është implementuar në Shqipëri nëpërmjet Vendimit nr. 178, datë 09.03.2016 të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë i cili miratoi “Marrëveshjen Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent, për "Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarisë Financiare” si dhe të Ligjit nr. 4/2020, datë 30.01.2020. Zbatimi i Standartit të Përbashkët të Raportimit kërkon raportimin në mënyrë periodike vjetore pranë organeve kompetente tatimore të Republikës së Shqipërisë, të të dhënave të klientit në Bankë, nëse klienti është Person i Raportueshëm. Pra, thënë ndryshe, ai është një individ ose subjekt ekonomik, që identifikohet me një residencë tatimore në të paktën një nga vendet e juridiksioneve raportuese që kanë nënshkruar marrëveshjen. Aktualisht janë më shumë se 100 vende pjesëmarrëse që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje të cilat mund të gjenden dhe në faqen zyrtare të OEDC (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim).
Ashtu si dhe për FATCA, çdo klient i bankës duhet të vetdeklarojë rezidencën e tij tatimore, qoftë kjo në Shqipëri apo në çdo vend tjetër në botë. Nëse klienti ka residencë tatimore në të paktën njërën nga vendet pjesëmarrëse në marrëveshje, atëherë klienti ka detyrimin të deklarojë dhe dokumentojë në bankë vendin e rezidencës apo rezidencave të tij tatimore (nëse është tatimpagues në më shumë se një vend), si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit të taksave.
* Nëse klienti refuzon të paraqesë deklaratën e përmendur më lart apo informacionin dhe/ose dokumentacionin e kërkuar, banka mund të jetë e detyruar të mos hapë llogari për klientin ose të mbyllë llogaritë ekzistuese.