Llogaria Rrjedhëse për Individë
30/08/2021
Çfarë është Llogaria Rrjedhëse?
- Një llogari rrjedhëse e hapur në një bankë është një produkt i cili mundëson që paratë e tua të jenë të sigurta dhe ndihmon individët dhe bizneset për të manaxhuar financat e tyre.
- Përgjithësisht Bankat nuk paguajnë interes për llogaritë rrjedhëse dhe nuk ka kufizim mbi numrin e transaksioneve apo veprimeve bankare të kryera në këto llogari, për sa kohë që zotëruesi i llogarisë ka fonde të mjaftueshme.
- Llogaria Rrjedhëse është një produkt bankar tepër fleksibël dhe është e përshtatshme në rastet kur kryhen transaksione të shpeshta, ose kur kryhen veprime bankare rregullisht gjatë jetës së përditshme të individëve apo aktiviteteve të biznesit.
Llogaria Rrjedhëse për Individë
Individët mund të përdorin llogarinë rrjedhëse gjatë aktiviteteve të jetës së përditshme.*
Nëpërmjet një llogarie bankare ti si individë mund të:
- Marrësh pagën tënde mujore
- Kryesh veprime bankare ditore apo mujore
- Paguash fatura të ndryshme si atë të telefonit, të ujit apo të energjisë elektrike
- Paguash shpenzimet e qirasë mujore (si qeramarrës) apo ti tërhiqni ato (si qeradhënës)
- Të shmangësh mbajtjen cash të parave në xhepat e Tua
- Paguash këstin e një kredie
- Dokumentosh veprimet e tua apo shpenzimet që kryen
* Llogaria rrjedhëse mund të lidhet edhe me kartën tënde të debitit, duke mundësuar në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve në Bankomat (duke shmangur rradhën e pritjes në Bankë) si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në Pikat e Shitjes (POS).
Si hapet një Llogari Rrjedhëse?
Mund të hapësh një llogari rrjedhëse:
- Pranë Bankës tënde: Nëpërmjet një dokumenti identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti), pra duke u paraqitur fizikisht në ambientet e Bankës.
- Virtualisht: Nëpërmjet kanaleve online.*
* Shumica e Bankave kërkon që klienti të jetë fizikisht i pranishëm në degën e Bankës, në mënyrë që të ndiqen hapa të caktuara për identifikimin e klientit.
Cilat janë pyetjet që duhet të kesh parasysh kur hap një Llogari Rrjedhëse?
- Cilat janë kostot mujore që lidhen me këtë produkt bankar? Përgjithësisht Bankat aplikojnë një komision mirëmbajtjeje mujore të llogarisë.
- Cila do të jetë monedha që do të zgjedhësh për të hapur llogarinë rrjedhëse?* Komisione të ndryshme aplikohen për llogari në monedha të ndryshme. *Këshillë: Të mbahet parasysh se në çfarë monedhe realizohen të ardhurat e tua dhe në çfarë monedhe kryen shpenzimet!
- A aplikohen komisione mbi transaksionet e kryera? P.sh: mbi tërheqjet e ndryshme.
- Për sa kohë mund të qëndrojë e hapur llogaria rrjedhëse, dhe çfarë ndodh nëse Banka e mbyll uniliteralisht llogarinë (pra me vendimin e saj)? Cilat janë kostot, nëse ka të tilla kosto?
- A ka një shumë minimale të nevojshme për tu derdhur në momentin e hapjes së llogarisë?
- A duhet paguar komision në momentin e mbylljes së llogarisë rrjedhëse?
Çfarë janë llogaritë rrjedhëse që administrohen nga dy individë?
Ti ke mundësinë të hapësh një Llogari të Përbashkët edhe me persona të tjerë, dhe së bashku mund të vendosni mbi mënyrën se si do ti administroni fondet që në momentin e hapjes së llogarisë.
Fondet e llogarisë së përbashkët mund të administrohen:
- Së bashku në të njëjtën kohë: Kjo do të thotë se individët mund të vendosin të firmosin të dy në të njëjtën kohë veprimet bankare, tërheqjet, pagesat etj. Në këtë rast veprimi bankar nuk mund të kryhet pa firmën e të dy individëve që kanë hapur llogarinë e përbashkët me dy emra.
- Individualisht: Pra secili nga individët mund të kryejë transaksione bankare në llogarinë e përbashkët vetëm me anë të një firme të tij, pa qenë e nevojshme prezenca e personit të dytë në Bankë.
Vendimi se si do të administrohen fondet në llogarinë e përbashkët duhet të merret që në momentin e hapjes së llogarisë. Banka nëpërmjet mirëmbajtjeve në sistemet e saj më pas mundëson që të realizohet vullneti që i shprehur në fillim të hapjes së llogarisë.
Disa këshilla për t'u pasur parasysh!
Ti ke të drejtën të zgjedhësh Bankën që të shërben më mirë!
Përpara se të hapësh një llogari rrjedhëse do të të sugjeronim disa këshilla:
- Shqyrto alternativat e ndryshme të ofruara nga bankat dhe zgjidh Bankën që të ofron opsionin më të mirë në terma KOSTOSH dhe FLEKSIBILITETI, bazuar në nevojat e tua.
- Vizito degët e Bankave të ndryshme pranë vendndodhjes tënde për të marrë informacion.
- Vizito faqet zyrtare në internet që kanë Bankat e ndryshme në vend për të marrë më shumë informacion.
- Në rast se ke paqartësi mbi dokumentet kontraktuale drejto përsëri pyetje ndaj Bankës!
*(E rëndësishme) Lexo me kujdes gjithë informacionin e publikuar dhe dokumentet kontraktuale që të ofrohen për firmë, përpara se të vendosësh!