Pagesa
Çfarë janë Pagesat ose Shërbimi i Pagesave?
02/09/2021
Pagesat apo shërbimi i pagesave
Në praktikën e përditshme, me fjalët “pagesë bankare” i referohemi një nga shërbimeve më të përdorura që merr në bankë. Fjalitë që shpesh dëgjon në përditshmëri: “Nesër do të kryej pagesën për shkollën e djalit, për këstin e kredisë, për blerjen e një malli, faturën e dritave etj ” i referohen veprimit të pagesës që kryhet duke u paraqitur në sportelin e bankës. Ky veprim tashmë mund te kryhet edhe duke përdorur platformat online pa qenë nevoja që të paraqitesh fizikisht në Bankë. Ashtu si çdo shërbim tjetër edhe shërbimet e pagesave bëjnë të mundur kryerjen e veprimeve bankare në favorin tënd apo të palëve të treta, duke përdorur një llogari rrjedhëse apo nëpërmjet parave në dorë. Në këtë familje produktesh më kryesori dhe me i përdoruri është Tranferta apo Xhirimi.
Çfarë janë Transfertat?
Transferta është një veprim bankar me anë të së cilit transferohen apo kalohen shuma nga një llogari rrjedhëse tek një tjetër: jo vetëm brenda të njëjtës bankë, por edhe në banka të ndryshme. Pala që dërgon shumën e caktuar quhet Urdhëruesi dhe pala që e pret quhet Përfituesi.
Si kryhen Transfertat?
Që të kryhen transfertat, është e nevojshme të njihet dhe komunikohet:
- Kodi IBAN
- (ose/dhe) Llogaria e Përfituesit.
Në Shqipëri ky kod përbëhet nga 28 karaktere, ndërsa në vende te tjera të Evropës dhe të botës ka gjatësi të ndryshme. Kodi IBAN lejon identifikimin në mënyrë unike të llogarisë rrjedhëse dhe funksionon si “adresë unike” e llogarisë që nevojitet për transferimin e fondeve. Ai ka në përmbajtje të tij elemente sigurie që identifikojnë: shtetin, bankën & degën e bankës si dhe numrin e llogarisë rrjedhëse. Tërësia e këtyre të dhënave të përfshira në kodin IBAN apo dhe në numrin e llogarisë (drejt atyre vendeve qe nuk e përdorin IBAN-in), pra emërtesa e saktë e Përfituesit dhe e Bankës së tij, janë elemente bazë dhe quhen koordinata bankare të nevojshme për procesimin e një Tranferte apo Xhirimi.*
*Kujdes: është shumë e rëndësishme që PERFITUESI të komunikojë saktë koordinatat e tij bankare ME URDHERUESIN, të cilat duhet të jenë të përditësura!
Urdhëruesi duhet t’i përcjellë saktë këto kordinata bankare në urdhërat për transferta (në transfertat e kryera online, apo edhe në transfertat e kryera me prezencë fizike në Bankë), në mënyrë që të shmangen vonesat në transferta dhe kostot shtesë për sistemimin e parregullsive.
A e di se?
Kur transferta kryhet brenda llogarive të ndryshme të cilat i përkasin të njëjtit subjekt (persona individë apo çdo lloj entiteti juridik) apo në favor të subjekteve të ndryshme brenda të njëjtës bankë transferta ka gjithnjë komision zero. Kjo lloj transferte i minimizon kostot si për Urdhëruesin, ashtu edhe për Përfituesin e Transfertës.