Të drejtat e Klientit
Cilat janë të drejtat kryesore të klientit ndaj Bankës?
03/09/2021
Të drejtat e Klientit në shërbimin bankar?
Për secilin nga produktet që Banka të ofron si Klient nënshkruhet kontrata përkatëse, e cila në mënyrë të detajuar përshkruan të drejtat e tua. Për secilin nga produktet, të drejtat e klientit në mënyrë të përmbledhur, në secilën fazë të marrdhënies kontraktore janë si më poshtë:
I. Përpara momentit të nënshkrimit të kontratës:
- Një kopje e dokumentit që përmban të drejtat thelbësore të klientit.
- Një kopje e dokumentacionit informues për secilin produkt.
- Një kopje e plotë e informacionit parakontraktor pa krijuar asnjë detyrim kontrator për Klientin në këtë fazë.
II. Në momentin e nënshkrimit të kontratës:
- Klienti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për kushtet e Kontratës nga punonjësi i Bankës dhe ky i fundit ka detyrimin t`i shpjegojë ato në një gjuhë të kuptueshme për Klientin, përpara se ai të firmosë Kontratën me Bankën.
- Kontrata hartohet konform kërkesave ligjore në fuqi në momentin e nënshkrimit të saj.
- T’i jepet një kopje e kontratës dhe një kopje e dokumenteve të tjera të lidhura me të.
- Të mos vihet përballë kushteve kontraktuale më pak të favorshme nga çfarë është parashikuar në dokumentacionin parakontraktor/informues të produkteve.
- Të zgjedhë mënyrën e komunikimit me bankën (post elektronike; telefon; etj).
III. Përgjatë vazhdimësisë së kontratës klientit duhet:
- T’i jepet nga banka informacion të paktën një herë në vit në lidhje me mbarëvajtjen e kontratës.
- Të njoftohet me shkrim për ndryshimet e kushteve të kontratës nga ana e Bankës përpara se ato të bëhen të aplikueshme, nëse mundësia e ndryshimeve të kushteve është e parashikuar në kontratë.
- T’i jepet, në këmbim të pagesës, brenda 90 ditësh nga kërkesa, pasqyrë e llogarisë për të gjitha transaksionet e 10 viteve të fundit.
- Në rastet e kredisë bankare, Banka do të fillojë procedurat e ekzekutimit të detyrushëm kur Kredimarrësi nuk përmbush detyrimin e pagimit të dy kësteve të njëpasnjëshme ose në rastet kur Kredimarrësi është në vonesë për më tepër se 90 ditë nga data e pagimit të këstit.
- Klienti mund të tërhiqet nga kontrata pa asnjë penalitet brenda 14 ditëve nga nënshkrimi i saj.
IV. Në mbyllje të kontratës, klienti:
- Mund të tërhiqet pa asnjë Penalitet dhe Kosto shtesë nga kontratat me kohë të papërcaktuar.
- Në rastin e kontratave të kredisë, kredimarrësi mund të parapaguajë të gjithë ose një pjesë të shumës së ‘Principalit’, me kusht që të njoftojë me shkrim në mënyrë të parevokueshme Bankën të paktën 15 ditë para datës së parapagimit.
- T’i lëshohet konfirmim nga ana e bankës për mbarimin e kontratës.
V. Të drejtat për ankimet:
- Klienti ka të drejtën të paraqesë ankesë kundrejtë bankës, pranë çdo dege të saj në zyrën e ankesave.
- Banka ka detyrim të kthejë përgjigje ankesës brenda 30 ditësh për çdo ankim të lidhur me shërbimet bankare dhe transaksionet e ndryshme.
- Banka duhet të arsyetojë përgjigjen e saj ndaj klientit.