Një intervistë mbi ekonominë dhe zhvillimin e Serbisë me Draginja Đurić
Lexo Intervistën me Draginja Đurić, e emëruar së fundmi si Këshilltare e Divizionit të Bankave Filiale Ndërkombëtare të grupit Intesa Sanpaolo për Rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, pas mbi 20 vitesh si Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive në Banca Intesa Beograd.
31/01/2022
Intervista e plotë me Draginja Đurić
Ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara evropiane, Serbia i përballoi me mjaft sukses sfidat e paraqitura nga COVID-19.
Rënia e PBB-së në vitin 2020 ishte ndër më të ulëtat në Evropë dhe rikuperimi i saj në nivelet e para krizës u arrit në tremujorin e parë të 2021.
Në tremujorin e dytë të 2021, PBB-ja e vendit arriti normën më të lartë të rritjes në 20 vjet. Përveç kësaj, Moody's ka përmirësuar vlerësimin e kredisë së Serbisë, duke treguar besim në perspektivat e vendit.
Kjo, thotë Draginja Đurić, Këshilltare e Divizionit të Bankave Filialë Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo për Rajonin e EQL-së, është arritur kryesisht falë masave në kohë dhe në shkallë të gjerë të politikës monetare dhe fiskale.
"Është parandaluar rënia e investimeve dhe e besimit të konsumatorëve, ndërsa janë ruajtur nivelet e kapaciteteve prodhuese, fuqisë punëtore si edhe perspektivës së favorshme makroekonomike gjatë pandemisë."
Draginja Đurić, Këshilltare e Divizionit të Bankave Filialë Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo për Rajonin e EQL-së
Rritja ekonomike e Serbisë ka ardhur kryesisht si rezultat i strukturës së qëndrusheme ekonomike të vendit, e mbështetur nga masat e zgjatura në kohë të mbështetjes fiskale, prodhimi dhe eksportet, aktivitetet ndërtuese dhe rimëkëmbja në sektorin e shërbimeve.
Nga ana e prodhimit, thotë Đurić, këtë vit pritet rritje pozitive në të gjithë sektorët përveç bujqësisë, e cila ka mundësi të shënoj rënie për shkak të thatësirës.
Në fillim të krizës së shkaktuar nga COVID-19, Serbia kishte një sektor bankar të qëndrueshëm me likuiditet, kapitalizim dhe cilësi të lartë të aktiveve. Qeveria dhe Banka Kombëtare e Serbisë lëvizën me shpejtësi në përgjigje të pandemisë, duke miratuar tre paketa ekonomike gjithëpërfshirëse në 2020 dhe 2021 (që arrijnë në rreth 17.4% të PBB-së) që synojnë mbështetjen e familjeve dhe bizneseve, ruajtjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.
Mbështetja për sipërmarrësit dhe kompanitë e vogla, të mesme dhe të mëdha ka vazhduar edhe gjatë vitit 2021, së bashku me ndihmën e njëhershme financiare për qytetarët. Deri më tani, mbështetja totale nga shteti është rreth 8 miliardë euro.
Banca Intesa Beograd ka operuar me sukses në Serbi përgjatë viteve. Me 151 degë në 100 qytete, banka ka qenë në krye të tregut bankar për 14 vitet e fundit dhe është vlerësuar me çmimin Banka më e mirë në Serbi nga revistat The Banker, Euromoney dhe Global Finance.
Si huadhënësja më e madhe në vend, Banca Intesa Beograd është përfshirë në mënyrë aktive në programin e kreditimit të garantuar nga shteti, duke vendosur më shumë se 400 milionë euro deri më tani. “Kreditë nga skema e garancisë shtetërore kanë rezultuar të jenë të rëndësishme në drejtim të tejkalimit të problemeve të likuiditetit dhe ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm të sistemit ekonomik,” thotë Đurić.
Megjithatë, ka ende pengesa për rritjen. Shëndeti është një çështje kyçe, me një shkallë vaksinimi më të ngadaltë se sa pritej dhe efektet e vazhdueshme të masave të mundshme të kontrollit.
Rritja varet gjithashtu nga rimëkëmbja e Eurozonës në përgjithësi, thotë Đurić: “Pasiguria mbi kohëzgjatjen dhe intensitetin e çekuilibrave në tregjet globale të mallrave, mungesat e furnizimit dhe ndërprerjet po prodhojnë efekte të inflacionit në mbarë botën – dhe Serbia nuk do të mund të jetë imune ndaj saj.”
Megjithatë, Serbia ka bërë përparim të konsiderueshëm në adresimin e problemeve strukturore. Nivelet e investimeve kanë qenë më të ulëta se mesatarja e BE-së – dhe ato ende drejtohen kryesisht në sektorë me produktivitet të ulët. Đurić thotë: “Ndërsa Serbia përbën rreth 60% të investimeve të IHD-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndikimi i tyre në rritjen dhe produktivitetin e PBB-së zbutet nga intensiteti i lartë i importit dhe lidhjet ende të kufizuara me furnizuesit vendas”.
Ajo thotë se vendi ende duhet të adresojë disa nga kufizimet kryesore për rritjen e nxitur nga investimet. Kjo mund të bëhet duke rritur transparencën dhe parashikueshmërinë e rregulloreve që prekin bizneset, duke përmirësuar zbatimin e kontratave dhe duke barazuar kushtet e lojës për të gjithë aktorët ekonomikë.
Në këtë pikë, efikasiteti i shpenzimeve publike është shumë i rëndësishëm, thotë Đurić, "si dhe prioritizimi i atyre shpenzimeve që mund të mbështesin rimëkëmbjen dhe një rritje më të fortë dhe më elastike në afat më të gjatë kohor".